Kodi Penal
Viti 2014
Neni 42
Nxjerrja jashtë territorit
Nxjerrja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga gjykata ndaj shtetasit të huaj dhe atij
pa shtetësi që kryen një krim dhe çmohet se qëndrimi i mëtejshëm i tij në territorin e Republikës së
Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen.
Vendimi revokohet nga gjykata, me kërkesën e të dënuarit, kur shtetasi i huaj apo pa shtetësi fiton
shtetësinë shqiptare.
Neni 43
Publikimi i vendimit gjyqësor
Publikimi i vendimit gjyqësor jepet nga gjykata kur çmon se njohja e përmbajtjes së vendimit ka
interes për persona juridikë e fizikë.
Publikimi i vendimit gjyqësor konsiston në detyrimin e të dënuarit që me shpenzimet e veta të
publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive tërësisht apo pjesërisht vendimin gjyqësor,
sipas urdhërimit të bërë nga gjykata.
Data e publikimit dhe kohëzgjatja e tij caktohen nga gjykata.
Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruar të bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor
të dërguar nga gjykata.
Publikimi i vendimit gjyqësor nuk jepet kur rrezikohet përhapja e sekretit shtetëror, cenohet jeta
intime e personave ose preket morali shoqëror.
Neni 43/a
Humbja e përgjegjësisë prindërore
(Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 7)
Humbja e përgjegjësisë prindërore jepet nga gjykata ndaj personit që e ushtron përgjegjësinë
prindërore, kur ai dënohet si autor ose bashkëpunëtor në një vepër penale ndaj fëmijës ose si
bashkëpunëtor me fëmijën në kryerjen e një vepre penale.
Neni 44
Mënyra e vuajtjes së dënimeve plotësuese
Kur gjykata, së bashku me një dënim me burgim, jep edhe një ose disa nga dënimet plotësuese të
përmendura në nenin 30 të këtij Kodi, zbatimi i tyre fillon së bashku me vuajtjen e dënimit kryesor.
Për numrat 1, 3, 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 30 të këtij Kodi zbatimi i tyre fillon pas vuajtjes së dënimit
me burgim. Të drejtat e cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t’i ushtrojë gjatë kohës së
vuajtjes së dënimit me burgim.
Neni 45
Zbatimi i ligjit penal ndaj personave juridikë
(Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 4;
shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 7)
Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale,
të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre.
Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit të
veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike.
Përgjegjësia penale e personave juridikë nuk përjashton atë të personave fizikë, të cilët kanë kryer
ose janë bashkëpunëtorë në kryerjen e të njëjtave vepra penale.
Faqe|19