Kodi Penal Viti 2014 Neni 42 Nxjerrja jashtë territorit Nxjerrja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga gjykata ndaj shtetasit të huaj dhe atij pa shtetësi që kryen një krim dhe çmohet se qëndrimi i mëtejshëm i tij në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen. Vendimi revokohet nga gjykata, me kërkesën e të dënuarit, kur shtetasi i huaj apo pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare. Neni 43 Publikimi i vendimit gjyqësor Publikimi i vendimit gjyqësor jepet nga gjykata kur çmon se njohja e përmbajtjes së vendimit ka interes për persona juridikë e fizikë. Publikimi i vendimit gjyqësor konsiston në detyrimin e të dënuarit që me shpenzimet e veta të publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive tërësisht apo pjesërisht vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata. Data e publikimit dhe kohëzgjatja e tij caktohen nga gjykata. Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruar të bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor të dërguar nga gjykata. Publikimi i vendimit gjyqësor nuk jepet kur rrezikohet përhapja e sekretit shtetëror, cenohet jeta intime e personave ose preket morali shoqëror. Neni 43/a Humbja e përgjegjësisë prindërore (Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 7) Humbja e përgjegjësisë prindërore jepet nga gjykata ndaj personit që e ushtron përgjegjësinë prindërore, kur ai dënohet si autor ose bashkëpunëtor në një vepër penale ndaj fëmijës ose si bashkëpunëtor me fëmijën në kryerjen e një vepre penale. Neni 44 Mënyra e vuajtjes së dënimeve plotësuese Kur gjykata, së bashku me një dënim me burgim, jep edhe një ose disa nga dënimet plotësuese të përmendura në nenin 30 të këtij Kodi, zbatimi i tyre fillon së bashku me vuajtjen e dënimit kryesor. Për numrat 1, 3, 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 30 të këtij Kodi zbatimi i tyre fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim. Të drejtat e cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t’i ushtrojë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim. Neni 45 Zbatimi i ligjit penal ndaj personave juridikë (Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 4; shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 7) Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale, të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre. Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike. Përgjegjësia penale e personave juridikë nuk përjashton atë të personave fizikë, të cilët kanë kryer ose janë bashkëpunëtorë në kryerjen e të njëjtave vepra penale. Faqe|19

Select target paragraph3