Kodi Penal
Viti 2014
Neni 37
Ndalimi për të drejtuar automjete
Ndalimi për të drejtuar automjete jepet nga gjykata, për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kundër
personave që kanë kryer vepër penale, kur çmohet se do të ketë efekt parandalues apo pajtohet me
natyrën e veprës së kryer.
Neni 38
Heqja e dekoratave dhe e titujve
Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit vendoset për personat që kanë kryer një vepër penale që
dënohet me burgim dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer.
Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit është e përhershme kur personi dënohet për një krim mbi
dhjetë vjet dhe nga një gjer në pesë vjet, kur dënohet gjer në dhjetë vjet burgim.
Neni 39
Heqja e së drejtës të ushtrimit të një profesioni ose të një veprimtarie
(Ndryshuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 4)
Heqja e së drejtës të ushtrimit të një profesioni ose të një veprimtarie e ndalon të dënuarin të
ushtrojë profesionin ose veprimtarinë, për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim apo
licencë nga organi kompetent.
Heqja e së drejtës së ushtrimit të një veprimtarie ose të një profesioni jepet për një kohë nga një
muaj deri në pesë vjet dhe është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i shpërdoruar
ato, ose kur vlerësohet se ushtrimi i mëtejshëm i veprimtarisë apo profesionit bie ndesh me
marrëdhënien juridike që synon të mbrojë vepra penale konkrete.
Neni 40
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese
(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 6)
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë, i heq mundësinë të
dënuarit të ushtrojë detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si dhe çdo detyrë
tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik.
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë është rrjedhojë e çdo
dënimi për vepra penale dhe jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet, kur i dënuari ka
shpërdoruar funksionet apo ka vepruar në kundërshtim me rregullat që lidhen me detyrën.
Kur dënimi i dhënë nga gjykata është jo më pak se pesë vjet burgim, kjo e drejtë mund të hiqet për
një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet.
Neni 41
Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative
Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative jepet nga gjykata për një kohë nga një
gjer në pesë vjet, kur çmohet se qëndrimi i të dënuarit në këto vende përbën rrezik për sigurimin publik.
Faqe|18