Kodi Penal Viti 2014 Nëse gjoba nuk paguhet edhe pas shtyrjes së afatit ose nëse i dënuari nuk e kryen punën në interes publik, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim. Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj me burgim nuk mund të kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi nuk mund të kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit me burgim që parashikon dispozita përkatëse. Nëse dispozita penale nuk parashikon dënim me burgim, maksimumi i dënimit me burgim konsiderohet gjashtë muaj Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon vendimin, duke bërë llogaritjet sipas kriterit të paragrafit të 8 të këtij neni. Neni 35 Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike (Riformuluar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 5) Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një kohë jo më pak se pesë vjet, jepet detyrimisht ndaj personit që ka kryer një krim, që lidhet me detyrën, duke shpërdoruar funksionin publik ose ka kryer një krim, për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo më pak se dhjetë vjet. Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike mund të jepet për një kohë nga tre deri në pesë vjet, kur gjykata ka caktuar një dënim nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, dhe nga një deri në tre vjet, kur është caktuar dënimi deri në tre vjet burgim. Neni 36 Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale (Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 4) 1. Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor të shtetit: a) të sendeve që kanë shërbyer ose janë caktuar si mjete për kryerjen e veprës penale; b) të produkteve të veprës penale, ku përfshihet çdo lloj pasurie, si dhe dokumentet ose instrumentet ligjore që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasurinë që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale; c) të shpërblimeve, të dhëna ose të premtuara, për kryerjen e veprës penale; ç) të çdo pasurie tjetër, vlera e së cilës i korrespondon asaj të produkteve të veprës penale; d) të sendeve, prodhimi, përdorimi, mbajtja ose tjetërsimi i të cilave përbëjnë vepër penale, edhe kur nuk është dhënë vendim dënimi. 2. Nëse produktet e veprës penale janë transformuar ose shndërruar pjesërisht ose plotësisht në pasuri të tjera, këto të fundit i nënshtrohen konfiskimit. 3. Nëse produktet e veprës penale janë bashkuar me pasuri të fituara në rrugë të ligjshme, këto të fundit konfiskohen deri në vlerën e produkteve të veprës penale. 4. Konfiskimit i nënshtrohen edhe të ardhurat ose përfitimet e tjera nga produktet e veprës penale, nga pasuritë në të cilat janë transformuar ose shndërruar produktet e veprës penale ose nga pasuritë me të cilat janë përzier këto produkte, në të njëjtën masë dhe mënyrë sikurse produktet e veprës penale. Faqe|17

Select target paragraph3