Kodi Penal
Viti 2014
Veprat penale dhe masat ndëshkuese përkatëse, që zbatohen ndaj personave juridikë, si dhe
procedura për vendosjen dhe ekzekutimin e tyre rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 46
Masat mjekësore dhe edukuese
Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër
penale, ndërsa masat edukuese mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi ose që për
shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.
Masat mjekësore janë:
1. Mjekimi i detyruar ambulator
2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor
Masa edukuese është:
1. Vendosja e të miturit në një institucion edukimi
Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur
zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë, por në çdo rast, gjykata, kryesisht, është e detyruar që pas
kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj.
Rregullat për revokimin e vendimit gyqësor që përmban masën mjekësore dhe edukuese,
parashikohen në Kodin e Procedurës Penale.
KREU VI
CAKTIMI I DËNIMIT
Neni 47
Mënyra e caktimit të dënimit
Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi dhe
kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale.
Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të
saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Neni 48
Rrethanat lehtësuese
(Shtuar dy paragrafë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 5)
Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;
b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime
të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;
c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit;
ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për
të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale;
dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;
e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë
normalizuar.
Rrethana lehtësuese e parashikuar në shkronjën “a” të paragrafit të parë të këtij neni, nuk lehtëson
dënimin kur vepra penale është kryer në rrethanat e parashikuara në shkronjën “j” të nenit 50 të këtij
Kodi.
Faqe|20