Kodi Penal
Viti 2014
Neni 75
Krimet e luftës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Veprat e kryera nga persona të ndryshëm në kohë lufte, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi për punë
skllavëruese, si dhe për çdo lloj shfrytëzimi tjetër çnjerëzor në dëm të popullsisë civile ose në territor të
pushtuar, vrasja ose keqtrajtimi i robërve të luftës, vrasja e pengjeve, shkatërrimi i pasurisë private ose
publike, shkatërrimi i qyteteve, komunave ose fshatrave, jo të diktuara nga nevoja ushtarake, dënohet
me heqje të lirisë jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
KREU II
VEPRA PENALE KUNDËR PERSONIT
KRIME KUNDËR JETËS
SEKSIONI I
KRIME KUNDËR JETËS TË KRYERA ME DASHJE
Neni 76
Vrasja me dashje
Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Neni 77
Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër
(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 9)
Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër, dënohet me burgim jo
më pak se njëzet vjet.
Neni 78
Vrasja me paramendim
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 10;
shtesë në paragrafin e dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 7;
ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 14)
Vrasja me paramendim dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.
Vrasja e kryer për interes apo hakmarrje dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me
burgim të përjetshëm.
Neni 78/a
Vrasja për gjakmarrje
(Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 15)
Vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të
përjetshëm.
Faqe|30