Kodi Penal Viti 2014 Neni 71 Amnistia Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë. Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe. Neni 72 Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme Dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi zbatohen edhe për veprat penale të tjera të parashikuara si të tilla nga ligje të veçanta. PJESA E POSAÇME KREU I KRIME KUNDËR NJERËZIMIT Neni 73 Genocidi (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79) Zbatimi i një plani të paramenduar që synon shkatërrimin tërësisht apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racial apo fetar i drejtuar kundër anëtarëve të grupit dhe i shoqëruar me veprat që vijojnë, si: vrasje me dashje të anëtarëve të grupit, dëmtime të rënda fizike dhe psikike, vendosja në kushte jetese të rënda që shkaktojnë shkatërrimin fizik, zbatimi i masave që synojnë pengimin e lindjeve, si dhe transferimi i detyrueshëm i fëmijëve të një grupi në një grup tjetër, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 74 Krime kundër njerëzimit (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 8; ndryshuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 13) Vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet, si dhe çdo lloj torture ose dhune tjetër njerëzore, të kryera, sipas një plani konkret të paramenduar, ose në mënyrë sistematike, kundër një grupi të popullsisë civile, për motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 74/a Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 11) Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve, që mohojnë, minimizojnë, në mënyrë të ndjeshme, miratojnë ose justifikojnë akte, që përbëjnë gjenocid ose krim kundër njerëzimit, dënohet me burgim tre deri në gjashtë vjet. Faqe|29

Select target paragraph3