Kodi Penal
Viti 2014
Neni 251
Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme
Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e
paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të
ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak
të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 252
Mbajtja në burg pa vendim
Mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të caktuar në vendim apo në ligj,
prej personit të ngarkuar me detyrën e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 253
Shkelja e barazisë së shtetasve
(Shtuar fjalët me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 40)
Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror apo në
shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, orientimi seksual ose identiteti gjinor, gjendjes
shëndetësore, bindjeve fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni,
komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të
drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 254
Shkelja e paprekshmërisë së banesës
Hyrja në banesë, pa pëlqimin e personit që banon në të, prej punonjësit të ngarkuar me një
funksion shtetëror apo në shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, veç rasteve kur lejohet nga
ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 255
Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës
Dhënia e urdhërave ose kryerja e veprimeve për asgjësimin, leximin dhe përhapjen e
korrespondencës postare ose që prish, vështirëson, vë nën kontroll ose përgjon korrespondencën
telefonike apo të çdo mjeti tjetër të komunikimit, nga ana e punonjësit të ngarkuar me funksion
shtetëror ose në shërbim publik e në ushtrim të tyre, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 256
Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti
Shpërdorimi i kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose institucione
shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.
Faqe|79