Kodi Penal Viti 2014 Neni 251 Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Neni 252 Mbajtja në burg pa vendim Mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të caktuar në vendim apo në ligj, prej personit të ngarkuar me detyrën e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 253 Shkelja e barazisë së shtetasve (Shtuar fjalët me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 40) Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, orientimi seksual ose identiteti gjinor, gjendjes shëndetësore, bindjeve fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Neni 254 Shkelja e paprekshmërisë së banesës Hyrja në banesë, pa pëlqimin e personit që banon në të, prej punonjësit të ngarkuar me një funksion shtetëror apo në shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Neni 255 Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës Dhënia e urdhërave ose kryerja e veprimeve për asgjësimin, leximin dhe përhapjen e korrespondencës postare ose që prish, vështirëson, vë nën kontroll ose përgjon korrespondencën telefonike apo të çdo mjeti tjetër të komunikimit, nga ana e punonjësit të ngarkuar me funksion shtetëror ose në shërbim publik e në ushtrim të tyre, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Neni 256 Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti Shpërdorimi i kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose institucione shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Faqe|79

Select target paragraph3