Kodi Penal
Viti 2014
KREU IV
VEPRA PENALE KUNDËR MJEDISIT
Neni 201
Ndotja e ajrit
Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej
kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me
burgim gjer në dhjetë vjet.
Neni 202
Transportimi i mbeturinave toksike
Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të mbeturinave toksike dhe radioaktive,
dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me
burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 203
Ndotja e ujërave
Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të
ujrave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me
burgim nga një gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me
burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Neni 204
Peshkimi i ndaluar
Peshkimi në kohë, me mjete, vende dhe mënyra të ndaluara përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Peshkimi i kryer me mjete të rrezikut të përbashkët si eksploziv, lëndë helmuese etj,. përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 205
Prerja e paligjshme e pyjeve
Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën
kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
një vit.
Neni 206
Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë
Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve dhe parqeve nëpër qytete përbëjnë
kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.
Faqe|66