Kodi Penal
Viti 2014
Neni 273
Largimi nga vendi i aksidentit
Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u
shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 274
Prishja e qetësisë publike
Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me
anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të
automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë
dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale
dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 275
Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike
Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë
kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 276
Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq
Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq ose Gjysëm Hënës së Kuqe, kur ka sjellë
pasoja të rënda materiale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Neni 277
Vetëgjyqësia
Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga
tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre muaj.
Neni 278
Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit
(Shtuar paragrafi I dhe II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2;
ndryshuar paragrafi I, II dhe III, si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 60; ndryshuar me
ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 43; shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr.98, datë 31.7.2014, neni 5)
Prodhimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave apo minave, pa lejen e
organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri
në pesë vjet.
Faqe|84