Kodi Penal Viti 2014 Neni 266 Thirrja për urrejtje nacionale (Shtuar fjalë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 42) Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet. Neni 267 Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Neni 268 Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj (Ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 36) Dëmtimi i qëllimshëm i flamurit ose i stemës së Republikës, të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Poshtërimi botërisht i flamurit ose i himnit kombëtar, gjatë zhvillimit të një veprimtarie të organizuar nga autoritetet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Neni 269 Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike Pengimi me dhunë i veprimtarisë së ligjshme të partive, organizatave apo shoqatave politike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 270 Rebelimi i të burgosurve Përdorimi i dhunës, nga ana e të burgosurve ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo në shërbim publik, që bëhet për ta penguar në ushtrimin e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të veprimtarisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Kur dhuna ushtrohet nga një grup personash ose shoqërohet me trazira e çrregullime apo me kërcënime e frikësime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. Neni 271 Disinformimi i ekipeve të urgjencës Disinformimi me dashje i ekipeve të urgjencës për të prishur gatishmërinë e tyre, e bërë me çdo mjet lajmërimi e thirrjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 272 Njoftimi i rremë në organet e rendit Njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit, për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Faqe|83

Select target paragraph3