1. Gjendja e krizës kibernetike është situata, gjatë së cilës siguria e informacionit në sistemet e informacionit ose siguria e rrjeteve të komunikimeve elektronike është seriozisht e rrezikuar, duke vënë në rrezik interesin publik të Republikës së Shqipërisë. 2. Gjendja e krizës kibernetike shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës, të shoqëruar me relacionin përkatës. Urdhri për shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike njoftohet në media. 3. Gjendja e krizës kibernetike shpallet për një periudhë kohore deri në shtatë ditë. Periudha e dhënë mund të zgjatet në mënyrë të përsëritur vetëm pas miratimit të Kryeministrit. Periudha maksimale e shpalljes së gjendjes së krizës kibernetike nuk duhet të kalojë 30 ditë. 4. Gjatë periudhës së gjendjes së krizës kibernetike, ministri përgjegjës informon Kryeministrin në lidhje me zgjidhjen e kësaj gjendjeje, si dhe për kërcënimet reale që çuan në shpalljen e kësaj gjendjeje. Gjatë gjendjes së krizës kibernetike Autoriteti ka të drejtë të nxjerrë vendim ose të marrë masa mbrojtëse të natyrës së përgjithshme dhe kundërmasa. 5. Kur është e pamundur të shmanget një kërcënim ndaj sigurisë së informacionit në sistemet e informacionit ose sigurisë së shërbimeve ose sigurisë dhe integritetit të rrjeteve të komunikimit elektronik, ministri përgjegjës i propozon menjëherë Kryeministrit vendosjen e gjendjes së krizës kibernetike. Kundërmasat e nxjerra nga Autoriteti para vendosjes së gjendjes së krizës kibernetike mbeten në fuqi për aq kohë sa këto kundërmasa nuk bien në kundërshtim me masat emergjente të deklaruara nga Këshilli i Ministrave. 6. Autoriteti koordinon veprimet e të gjitha strukturave përgjegjëse për zgjidhjen e gjendjes së krizës kibernetike. KAPITULLI V KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE Neni 20 Masat korrigjuese 1. Kur Autoriteti konstaton mangësi në zbatimin e masave të sigurisë, të nxjerra në zbatim të këtij ligji, ai cakton personin përgjegjës për të korrigjuar mangësitë e konstatuara dhe, sipas rastit, cakton masat e nevojshme për t’i eliminuar këto mangësi. 2. Kostot lidhur me zbatimin e masave korrigjuese mbulohen nga operatorët e infrastrukturës kritike të informacionit dhe operatorët e infrastrukturës së rëndësishme të informacionit. 3. Autoriteti përcakton një afat të arsyeshëm, brenda të cilit operatorët e infrastrukturës kritike të informacionit dhe operatorët e infrastrukturës së rëndësishme të informacionit duhet të marrin masat korrigjuese. 4. Operatorët janë të detyruar të njoftojnë për marrjen e masave korrigjuese brenda afatit të përcaktuar dhe, nëse është e nevojshme, të paraqesin edhe provat që vërtetojnë këtë fakt. Neni 21 Kundërvajtjet administrative 1. Në kuptim të këtij ligji, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme: a) mosraportimi i incidenteve kibernetike, në zbatim të pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji; 8

Select target paragraph3