Kodi Penal
Viti 2014
Neni 239
Fyerja për shkak të detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 56;
shfuqizuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 57)
Neni 240
Shpifja për shkak të detyrës
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 57;
shfuqizuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 57)
Neni 241
Shpifja ndaj Presidentit të Republikës
(Shfuqizuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 57)
Neni 242
Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik
Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë së rendit publik përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Neni 243
Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore
Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen pjesëtarit të familjes së një personi që kryen një detyrë
shtetërore ose një shërbim publik, për të penguar në kryerjen e detyrës apo të shërbimit ose për shkak
të kësaj veprimtarie, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 244
Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 18; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,
personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një
veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Neni 244/a
Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë
(Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 29; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete
ose për persona të tjerë, nëpunësit të huaj publik, nëpunësit të një organizate publike ndërkombëtare,
anëtarit të një asambleje të huaj publike apo anëtarit të një asambleje ndërkombëtare parlamentare, për
të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim,
nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.
Faqe|76