Kodi Penal Viti 2014 Neni 209 Dorëzimi i forcave të armatosura (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79) Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i forcave të armatosura apo materialeve mbrojtëse ose furnizimi me armë e municion i një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 210 Marrëveshja për dorëzim territori Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Neni 211 Provokimi i luftës Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të vënë Republikën e Shqipërisë përpara rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të huaja, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Neni 212 Marrëveshja për ndërhyrje të armatosur Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për të shkaktuar ndërhyrje të armatosur kundër territorit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 213 Dhënia e informatave sekrete Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Neni 214 Sigurimi i informatave Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Neni 215 Dëmtimi i objekteve mbrojtëse Shkatërrimi apo dëmtimi i mjeteve, pajisjeve, aparaturave, armatimit, teknikës luftarake apo objekteve mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Faqe|68

Select target paragraph3