Kodi Penal Viti 2014 Neni 182 Ndryshimi në aparatet matëse Ndryshimi apo ndërhyrja në aparatet dhe arkat matëse regjistruese e të lëshimit të kuponave, apo përdorimi i aparateve dhe arkave të ndryshuara, apo lejimi i përdorimit nga të tjerët i aparateve dhe arkave të parregullta, me qëllim shmangien nga pagimi i plotë i tatimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 182/a Prishja e shenjave të bllokimit apo pezullimit të veprimtarisë tregtare (Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 37) Prishja me dashje e shenjave dalluese të vendosura nga administrata tatimore për bllokimin apo pezullimin e veprimtarisë tregtare, apo ushtrimi i veprimtarisë tregtare pas njoftimit të vendimit të administratës tatimore për bllokimin apo pezullimin e saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. SEKSIONI VII FALSIFIKIMI I MONEDHAVE DHE LETRAVE ME VLERË Neni 183 Falsifikimi i monedhave (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 50) Falsifikimi ose vënia në qarkullim e monedhave të falsifikuara dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 184 Falsifikimi i letrave me vlerë (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 51) Falsifikimi ose vënia në qarkullim i çeqeve, kambialeve, kartëkrediteve, çekudhëtarëve ose letrave të tjera me vlerë të falsifikuara, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Neni 185 Prodhimi i mjeteve për falsifikim (Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 52) Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të falsifikuar monedha, çeqe, kambiale, kartëkredite, çekudhëtari apo të tjera letra me vlerë, dënohet me gjobë ose me burgim ga një gjer në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Faqe|61

Select target paragraph3