Kodi Penal Viti 2014 Gjykata, në rrethanat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të paragrafit të parë të këtij neni, nuk mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrim në shtëpi, të dënuarve që kanë kryer një krim ndaj bashkëshortit, bashkëjetuesit apo fëmijës së tij. Gjykata mund të lejojë personat e dënuar me qëndrim në shtëpi të largohen nga vendbanimi, për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare, për t’u angazhuar në veprimtari pune, edukimi apo arsimimi ose për programe rehabilitimi, për të cilat shërbimi i provës është dakord. Në këtë rast gjykata përcakton masat që duhet të marrë shërbimi i provës. Gjykata revokon qëndrimin në shtëpi dhe e zëvendëson atë me një ndëshkim tjetër, kur nuk ekzistojnë më kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni. Në qoftë se personi i dënuar largohet pa autorizimin e gjykatës nga vendbanimi apo shkel detyrimet e caktuara në vendimin e gjykatës, zbatohet neni 62 i këtij Kodi. Neni 60 Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë (Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 5) I dënuari i vënë në provë, mund të detyrohet nga gjykata të plotësojë një apo më tepër prej detyrimeve të mëposhtëme: 1. Të ushtrojë një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional. 2. Shfrytëzimi i pagës dhe i të ardhurave të tjera ose i pasurisë për përmbushjen e detyrimeve financiare. 3. Të riparojë dëmin civil të shkaktuar. 4. Të ndalohet të drejtojë automjete të caktuara. 5. Të mos ushtrojë veprimtari profesionale kur vepra penale ka lidhje me këtë veprimtari. 6. Të mos frekuentojë vende të caktuara. 7. Të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike. 8. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara. 9. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale. 10. Të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. 11. Mjekimi ose rehabilitimi në një institucion shëndetësor ose nënshtrimi në një program të trajtimit, mjekësor apo rehabilitues. 12. Heqja dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës. Në përcaktimin e detyrimeve për të dënuarin, gjykata merr parasysh moshën e të dënuarit, gjendjen mendore, mënyrën e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht ato të lidhura me familjen, edukimin ose punën, motivet e kryerjes së veprës penale, qëndrimin pas kryerjes së veprës penale, si dhe rrethana të tjera, që ndikojnë në vendosjen e detyrimeve, sipas këtij neni dhe mbikëqyrjen e tyre. Neni 60/a Detyrimi për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës (Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 11) Gjykata, ndaj të dënuarit të vënë në provë, i cili është në kushtet e varësisë kronike ndaj alkoolit apo lëndëve narkotike, vendos detyrimin për t’iu nënshtruar trajtimeve mjekësore për heqjen dorë nga përdorimi i alkoolit apo drogës. Trajtimi mjekësor për heqjen dorë nga përdorimi i alkoolit apo drogës bëhet në institucionin mjekësor të specializuar, sipas përcaktimit që bën Ministria e Shëndetësisë, në bazë të kërkesës së shërbimit të provës. Shërbimi i provës mbikëqyr ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe i raporton menjëherë prokurorit, kur personi i dënuar nuk përmbush detyrimin e vendosur. Faqe|25

Select target paragraph3