Kodi Penal
Viti 2014
Neni 52
Përjashtimi i të miturit nga dënimi
Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga rrethanat konkrete të kryerjes së saj,
nga sjellja e mëparshme e të miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi.
Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi.
Neni 52/a
Përjashtimi ose ulja e dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe viktimat
(Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 7)
Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/a, 244,
244/a, 245, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c dhe 328 të këtij Kodi mund të përfitojë përjashtim nga
vuajtja e dënimit ose ulje të tij, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre
veprave. Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen
ose jo të pasojave të veprës.
Personi i dëmtuar nga veprat penale, që lidhen me trafikimin e personit, mund të përfitojë
përjashtimin nga dënimi, për kryerjen e veprave penale gjatë periudhës së trafikimit dhe në masën që ka
qenë i detyruar t’i kryejë ato veprime apo mosveprime të kundërligjshme.
Personi që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve apo
municioneve, trafikimin e personave ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale, që
bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin
e personave të tjerë, që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të
parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në
favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi.
Neni 53
Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji
(Shtuar fjalëtme ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 8)
Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe
janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, dhe nuk është e pranishme asnjë rrethanë rënduese ka
të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon
dispozita përkatëse.
Neni 53/a
Zëvendësimi i dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit
(Shtuar me ligjin nr.98, datë 31.7.2014, neni 1)
Gjykata, në rastet kur parashikohet shprehimisht nga dispozita, kur çmon që vepra penale dhe
autori i saj paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe kur cakton një dënim gjer në dy vjet burgim,
mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të
shtetit, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë.
Ky zëvendësim mund të vendoset kur është kërkuar nga autori i veprës penale.
Në rast se shuma e të hollave e vendosur nga gjykata nuk paguhet brenda 10 ditëve nga momenti
që vendimi merr formë të prerë, me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendos revokimin e vendimit për
zëvendësimin e dënimit me burgim.
Faqe|22