Kodi Penal
Viti 2014
Neni 17
Papërgjegjshmëria për shkak të gjendjes mendore
Nuk ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së veprës vuante nga një turbullim psikik
ose neuropsikik që ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor dhe për pasojë nuk ka qenë në gjendje të
kontrollojë veprimet apo mosveprimet e tij dhe as të kuptojë se kryen vepër penale.
Personi që në kohën e kryerjes së veprës penale vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik, që
ka ulur ekuilibrin e tij mendor për të kuptuar dhe kontrolluar plotësisht veprimet apo mosveprimet e tij,
është i përgjegjshëm, por kjo rrethanë mbahet parasysh nga gjykata në caktimin e masës dhe llojit të
dënimit.
Neni 18
Kryerja e veprës penale në gjendje të dehur
Nuk përjashtohet nga përgjegjësia personi që ka kryer veprën penale në gjendje të dehur.
Kur dehja është shkaktuar në rrethana të rastit dhe ka sjellë uljen e ekuilibrit mendor, kjo rrethanë
mbahet parasysh për zbutjen e dënimit ndaj tij.
Kur dehja është bërë me paramendim për të kryer veprën penale, kjo rrethanë mbahet parasysh
për rëndimin e dënimit.
Rregullat e mësipërme zbatohen edhe kur vepra penale kryhet nën efektin e narkotikëve apo
stimulantëve të tjerë.
Neni 19
Mbrojtja e nevojshme
Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën duke qenë i detyruar të mbrojë jetën,
shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit me
kusht që, karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit.
Mospërputhja haptazi ndërmjet tyre përbën kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
Neni 20
Nevoja ekstreme
Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën nga nevoja për të përballuar një rrezik real
dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë dhe i
pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të
mos jetë më i madh së dëmi i zmbrapsur.
Neni 21
Ushtrimi i një të drejte apo përmbushja e detyrës
Nuk ka përgjegjësi penale personi që vepron për të ushtruar të drejta apo përmbushur detyra të
caktuara nga ligji ose nga një urdhër i dhënë prej një personi kompetent, veç rastit kur urdhri është
haptazi i paligjshëm.
Kur vepra penale është kryer si rezultat i urdhrit të paligjshëm, për të përgjigjet personi që ka
dhënë urdhrin.
Faqe|12