Kodi Penal Viti 2014 Neni 155 Shkatërrimi i rrugëve Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrugëve automobilistike, hekurudhore dhe veprave që lidhen me to, dënohet me gjobë apo me burgim gjer në shtatë vjet. Kur nga veprat penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 156 Shkatërrimi i rrjetit elektrik (Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 16) Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit elektrik, telegrafik, telefonik, radioteleviziv apo të çdo rrjeti ndërlidhës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në tre vjet. Neni 157 Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 158 Administrimi i ujit pa të drejtë, duke kthyer ose ndryshuar vijën e ujit, duke hapur pendat, duke ndërtuar apo mbyllur kanale kulluese apo vaditëse, vija ose vepra të tjera, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 159 Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit (Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 17) Lidhja, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e bërë pa leje në rrjetin e ujësjellësit, për marrjen e ujit të pijshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Shkatërrimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit dënohet me burgim deri në pesë vjet. Neni 160 Shkatërrimi i veprave kulturore Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i veprave kulturore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Kur nga vepra penale janë shkatërruar apo dëmtuar vepra kulturore me rëndësi kombëtare, dënohet me gjobë ose me burgim nga dy gjer në tetë vjet. Faqe|55

Select target paragraph3