Kodi Penal
Viti 2014
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me
burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Neni 124/a
Kërkimi ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit
(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 5; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Kërkimi, propozimi, dhënia ose pranimi i shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera, për të kryer ose
për të mos kryer një veprim, që lidhet me procesin e birësimit të një të mituri, dënohen me burgim deri
në shtatë vjet.
Neni 124/b
Keqtrajtimi i të miturit
(Shtuar me ligjin nr.9859, datë 21.1.2008, neni 2;
ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 16; ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013,
neni 30)
Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari
ligjor ose çdo person që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy
vjet.
Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja ose përdorimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura,
për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe/ose fizik, apo arsimimin
e tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e të miturit, dënohet me
burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 125
Mosdhënia e mjeteve për jetesë
Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën e fëmijëve, të prindërve ose të bashkëshortit, nga
personi që në zbatim të një vendimi gjyqësor detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 126
Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit
Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të vendbanimit, të interesuarve ose organit të
ekzekutimit, nga personi që sipas vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien e mjeteve të nevojshme për
jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të cilit i janë besuar fëmijët pas zgjidhjes së
martesës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Neni 127
Marrja e padrejtë e fëmijës
Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej personit që ushtron autoritetin prindëror ose që i
është besuar për rritje dhe edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të vendimit
gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Faqe|45