Kodi Penal Viti 2014 Neni 107 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 23; shtuar neni 107/a me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 22) Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale në vende publike ose në ambiente të ekspozuara nga vështrimi i njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 107/a Dhuna seksuale Ushtrimi i dhunës seksuale, nëpërmjet kryerjes së veprimeve me natyrë seksuale në trupin e një personi tjetër me objekte, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër fëmijëve të moshës katërmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë vjeç dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj një të mituri që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, pavarësisht nëse kryhet me dhunë apo jo, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet. Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet. Neni 108 Vepra të turpshme (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 24; ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 11; shtuar paragrafët me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 23; Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të mituri që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, me të cilin autori ka marrëdhënie familjare, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Përfshirja e qëllimshme si dëshmitar, në veprime me natyrë seksuale, e një të mituri që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo i një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Propozimi i bërë nga një i rritur, me çdo mjet ose formë, për të takuar një të mitur që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo një të mitur që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, me qëllim kryerjen e ndonjërës nga veprat penale të parashikuara në këtë seksion apo në seksionin VIII të kreut II të këtij Kodi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Neni 108/a Ngacmimi seksual (Shtuar neni 108/a me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 24) Kryerja e sjelljeve me natyrë seksuale, që cenojnë dinjitetin e një personi, me çdo mjet ose formë, duke krijuar një mjedis kërcënues, armiqësor, degradues, poshtërues ose ofendues, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër fëmijëve, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Faqe|38

Select target paragraph3