Kodi Penal
Viti 2014
Neni 27
Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve
Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe ekzekutorët për veprën penale të
kryer prej tyre.
Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë parasysh shkallën e
pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale.
Neni 28
Forma të veçanta të bashkëpunimit
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 2;shfuqizuar paragrafi i dytë i pikës 1, ndryshuar pika 2 me
ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 4)
1. Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilën bëjnë pjesë tre ose më
shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë,
kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime
materiale dhe jomateriale.
2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, e përbërë nga dy ose më
shumë persona, që kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në kohë, me synim kryerjen e veprave me
qëllime terroriste.
3. Banda e armatosur është një formë e veçantë bashkëpunimi që, duke zotëruar armë, municione
luftarake dhe mjete të tjera të nevojshme, synon kryerjen e veprave penale, të parashikuara në krerët V,
VI dhe VII të pjesës së posaçme të këtij Kodi.
4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose
më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale
dhe jomateriale.
Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e
nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të
zhvilluar.
5. Krijimi dhe pjesëmarrja në një organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë të armatosur
ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen sipas parashikimeve të pjesës së
posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera penale të veçanta.
6. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur ose grupit të
strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale, të kryera prej tyre, në përmbushjen e
qëllimeve të veprimtarisë së tyre kriminale.
7. Pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të
strukturuar kriminal, përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që gjykohet
vendimtare për njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara
drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj organizatave
kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura dhe grupeve të strukturuara kriminale.
Faqe|14