3. Autoriteti, me kërkesë të autoriteteve publike, jep të dhënat e administruara në lidhje
me një incident kibernetik, vetëm në rast se kërkesa përputhet me qëllimet e përmbushjes së
detyrave të tyre funksionale.
4. Autoriteti mund të vendosë të dhënat e administruara në lidhje me incidentet
kibernetike n�� dispozicion të organizmave që kryejnë rolin e autoritetit në fushën e sigurisë
kibernetike jashtë vendit dhe të operatorëve të tjerë që veprojnë në fushën e sigurisë
kibernetike, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së hapësirës kibernetike.
Neni 13
Konfidencialiteti i të dhënave
1. Nëpunësit e Autoritetit, që marrin pjesë në zgjidhjen e incidentit të sigurisë kibernetike,
janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e plotë për të gjitha të dhënat e përpunuara gjatë
procedurës së zgjidhjes së incidentit. Konfidencialiteti duhet të ruhet edhe pas ndërprerjes së
marrëdhënieve të punës me Autoritetin, përveç rasteve të parashikuara në ligj.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit mund të heqë detyrimin për konfidencialitetin e të
dhënave.
3. Ministri përgjegjës përcakton rastet dhe kriteret në të cilat hiqet detyrimi i
konfidencialitetit të parashikuar në pikën 2 të këtij neni.
Neni 14
Masat në rast kërcënimi ose incidenti kibernetik
1. Me masa në rast kërcënimi ose incidenti kibernetik kuptohen veprimet e nevojshme, me
qëllim mbrojtjen e sistemeve të informacionit apo rrjeteve të komunikimit elektronik ose
veprimet, me qëllim zgjidhjen e një incidenti të konstatuar të sigurisë kibernetike.
2. Masat në rast kërcënimi ose incidenti kibernetik janë:
a) paralajmërimet;
b) kundërmasat;
c) masat mbrojtëse.
Neni 15
Paralajmërimet
1. Paralajmërimi është një rekomandim për përballjen me kërcënimin në fushën e sigurisë
kibernetike. Në rast se Autoriteti konstaton ose merr dijeni për një kërcënim në fushën e
sigurisë, jep paralajmërim.
2. Paralajmërimi u njoftohet subjekteve përgjegjëse në fushën e sigurisë kibernetike, sipas
rastit. Paralajmërimi publikohet edhe në faqen e internetit të Autoritetit.
Neni 16
Kundërmasat
1. Kundërmasat janë veprime, me qëllim mbrojtjen nga rreziku kibernetik apo nga
incidenti i sigurisë kibernetike ose veprime, me qëllim zgjidhjen e një incidenti të konstatuar.
6