Kodi Penal Viti 2014 Neni 273 Largimi nga vendi i aksidentit Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 274 Prishja e qetësisë publike Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 275 Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 276 Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq ose Gjysëm Hënës së Kuqe, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. Neni 277 Vetëgjyqësia Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Neni 278 Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit (Shtuar paragrafi I dhe II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2; ndryshuar paragrafi I, II dhe III, si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 60; ndryshuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 43; shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr.98, datë 31.7.2014, neni 5) Prodhimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave apo minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Faqe|84

Select target paragraph3