Kodi Penal
Viti 2014
Neni 264
Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë
Detyrimi i punonjësit që kundër vullnetit të marrë apo të mos marrë pjesë në grevë ose krijimi i
pengesave dhe vështirësive për të vazhduar punën kur punonjësi dëshiron të punojë, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Neni 265
Nxitja e urrejtjes ose grindjeve
(Ndryshuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 41)
Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual, si dhe
përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla, e kryer me çdo
mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Neni 265/a
Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj
(Shtuar me ligjin nr.98, datë 31.7.2014)
Pjesëmarrja në formacione luftarake, organizata ushtarake ose paraushtarake në një konflikt të
armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti të huaj ose pjesëmarrja në çdo lloj trajnimi të zhvilluar
nga këto struktura, pa qenë shtetas në shtetin e huaj, pa qenë pjesëtar i forcave të armatosura të njërës
prej palëve në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të forcave të armatosura të një shteti që nuk
është palë në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të një organizate ndërkombëtare, dënohet me
burgim nga tre deri në tetë vjet.
Kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit
territorial të një shteti të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Neni 265/b
Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj
(Shtuar me ligjin nr.98, datë 31.7.2014)
Nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, vënia në dispozicion e pajisjeve, krijimi ose
përdorimi i fondeve ose mjeteve të tjera për financimin, mbështetjen materiale të personave, në çdo lloj
forme dhe mënyre, për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a dënohet me burgim nga
tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 265/c
Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj
(Shtuar me ligjin nr.98, datë 31.7.2014)
Thirrja në mënyrë publike me çdo lloj forme, mjeti dhe mënyre për të kryer veprën penale të
parashikuar nga neni 265/a ose 265/b, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Faqe|82