Kodi Penal
Viti 2014
Neni 247
Mbajtja pa të drejtë e uniformës
Mbajtja pa të drejtë e uniformës, e një dokumenti ose e një shenje dalluese, që tregojnë cilësinë e
një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, shoqëruar me veprime të
paligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur vepra kryhet me qëllim fitimi ose ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të
shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
SEKSIONI II
VEPRA PENALE KUNDËR VEPRIMTARISË SHTETËRORE TË KRYERA NGA
PUNONJËSIT SHTETËRORË OSE NË SHËRBIM PUBLIK
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 21;
ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 21; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që
përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë
atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e
ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale,
dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Neni 248/a
Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose e të ardhurave të tjera
nga sigurimet shoqërore
(Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 32; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose e të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore
prej punonjësit, që ka detyrë t’i japë ato, dënohet me burgim, nga gjashtë muaj gjer në shtatë vjet.
Neni 249
Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij
Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është
vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 250
Kryerja e veprimeve arbitrare
Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion
shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.
Faqe|78