Kodi Penal
Viti 2014
Neni 234/b
Banda e armatosur
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 17)
Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i bandës së armatosur dënohen me burgim nga dhjetë
deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Pjesëmarrja në bandën e armatosur dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
KREU VIII
KRIME KUNDËR AUTORITETIT TË SHTETIT
SEKSIONI I
VEPRA PENALE KUNDËR VEPRIMTARISË SHTETËRORE TË KRYERA NGA SHTETASIT
Neni 235
Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 54)
Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, me
qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një
herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 236
Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik
(Ndryshuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 55;
ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 20)
Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të
kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një
vit.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një
herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.
Neni 237
Goditjet për shkak të detyrës
Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një
shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.
Neni 238
Kanosja për shkak të detyrës
Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë
shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Faqe|75