Kodi Penal Viti 2014 LIGJ Nr.7895, datë 27.1.1995 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: I PJESA E PËRGJITHSHME KREU I LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ Neni 1 Ligji penal dhe ndarja e veprave penale Ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të tyre. Veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale. Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi. Neni 1/a Bazat e legjislacionit penal (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1) Kodi Penal bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ndërkombëtare, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar. Legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale. Neni 1/b Detyrat e legjislacionit penal (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1) Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare, si dhe bashkëjetesën fetare nga veprat penale, si dhe parandalimin e tyre. Neni 1/c Parimet e Kodit Penal (Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 1, shtuar fjalët me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 1) Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit,të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve, si dhe të humanizmit. Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet. Faqe|7

Select target paragraph3