Kodi Penal
Viti 2014
Neni 209
Dorëzimi i forcave të armatosura
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i forcave të armatosura apo materialeve mbrojtëse ose furnizimi
me armë e municion i një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e
vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 210
Marrëveshja për dorëzim territori
Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo
të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet
me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Neni 211
Provokimi i luftës
Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të vënë Republikën e Shqipërisë përpara
rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të huaja, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 212
Marrëveshja për ndërhyrje të armatosur
Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për të shkaktuar ndërhyrje të armatosur kundër
territorit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 213
Dhënia e informatave sekrete
Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të
cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Neni 214
Sigurimi i informatave
Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një
fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Neni 215
Dëmtimi i objekteve mbrojtëse
Shkatërrimi apo dëmtimi i mjeteve, pajisjeve, aparaturave, armatimit, teknikës luftarake apo
objekteve mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim nga
pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Faqe|68