Kodi Penal Viti 2014 KREU IV VEPRA PENALE KUNDËR MJEDISIT Neni 201 Ndotja e ajrit Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. Neni 202 Transportimi i mbeturinave toksike Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të mbeturinave toksike dhe radioaktive, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 203 Ndotja e ujërave Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujrave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Neni 204 Peshkimi i ndaluar Peshkimi në kohë, me mjete, vende dhe mënyra të ndaluara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Peshkimi i kryer me mjete të rrezikut të përbashkët si eksploziv, lëndë helmuese etj,. përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 205 Prerja e paligjshme e pyjeve Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 206 Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve dhe parqeve nëpër qytete përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Faqe|66

Select target paragraph3