Kodi Penal
Viti 2014
Neni 190
Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 6;
shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 15; shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 47,
datë 26.7.2012, pjesa që parashikon dënimin me gjobë si dënim kryesor)
Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të
rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në
katër vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet
me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në
shtatë vjet.
Neni 191
Falsifikimi i akteve të gjendjes civile
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 7; shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 47, datë
26.7.2012, pjesa që parashikon dënimin me gjobë si dënim kryesor)
Falsifikimi apo përdorimi i akteve të gjendjes civile të falsifikuara dënohet me burgim nga tre muaj
deri në dy vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin, dënohet me burgim nga një deri
në pesë vjet.
Neni 192
Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve
Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të dokumenteve përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 192/a
Zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53)
Asgjësimi me çdo mënyrë i dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, si dhe zhdukja e vjedhja e
dokumenteve që janë të një rëndësie të veçantë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë
ose me burgim gjer në tre vjet.
Vjedhja e dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, që janë të një rëndësie të veçantë, ose
eksportimi i tyre në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë
vjet.
Neni 192/b
Hyrja e paautorizuar kompjuterike
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53;
ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 19)
Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një
pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Faqe|63