Kodi Penal
Viti 2014
Neni 182
Ndryshimi në aparatet matëse
Ndryshimi apo ndërhyrja në aparatet dhe arkat matëse regjistruese e të lëshimit të kuponave, apo
përdorimi i aparateve dhe arkave të ndryshuara, apo lejimi i përdorimit nga të tjerët i aparateve dhe
arkave të parregullta, me qëllim shmangien nga pagimi i plotë i tatimit, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 182/a
Prishja e shenjave të bllokimit apo pezullimit të veprimtarisë tregtare
(Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 37)
Prishja me dashje e shenjave dalluese të vendosura nga administrata tatimore për bllokimin apo
pezullimin e veprimtarisë tregtare, apo ushtrimi i veprimtarisë tregtare pas njoftimit të vendimit të
administratës tatimore për bllokimin apo pezullimin e saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim deri në një vit.
SEKSIONI VII
FALSIFIKIMI I MONEDHAVE DHE LETRAVE ME VLERË
Neni 183
Falsifikimi i monedhave
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 50)
Falsifikimi ose vënia në qarkullim e monedhave të falsifikuara dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet
me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 184
Falsifikimi i letrave me vlerë
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 51)
Falsifikimi ose vënia në qarkullim i çeqeve, kambialeve, kartëkrediteve, çekudhëtarëve ose letrave
të tjera me vlerë të falsifikuara, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Neni 185
Prodhimi i mjeteve për falsifikim
(Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 52)
Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të falsifikuar monedha, çeqe, kambiale, kartëkredite,
çekudhëtari apo të tjera letra me vlerë, dënohet me gjobë ose me burgim ga një gjer në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Faqe|61