Kodi Penal Viti 2014 KREU VIII SHUARJA E NDJEKJES PENALE, TË DËNIMEVE DHE MOSEKZEKUTIMI I TYRE Neni 66 Parashkrimi i ndjekjes penale Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar: a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë; b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim; c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë; ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim; d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë. Neni 67 Mosparashkrimi i ndjekjes penale Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit. Neni 68 Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: a) njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim; b) dhjetë vjet për vendimin që përman dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim; c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta. Neni 69 Rehabilitimi Quhen të padënuar: a) ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale; b) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale; c) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale; ç) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë gjer në njëzet e pesë vjet dhe që gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale. Neni 70 Falja Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë. Faqe|28

Select target paragraph3