Kodi Penal Viti 2014 Neni 54 Pranimi i pagimit të gjobës Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet njëkohësisht dënimi me burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë aty për aty një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë me gjysmën e maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij Kodi. Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara dhënies së vendimit përfundimtar të shkallës së parë. Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer. Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë dënuar edhe për kundërvajtje penale. Neni 55 Caktimi i dënimeve për disa vepra penale (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 9) Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar. Dënimi më i rëndë i shtuar në rastin kur personi ka kryer një krim kundër jetës me dashje, me përdorimin pa leje të armëve luftarake dhe municionit, përbëhet nga shuma e përgjithshme e dënimeve për secilën vepër penale. Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë. Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat penale. Gjykata në vendimin përfundimtar jep një ose më shumë nga dënimet plotësuese të dhëna më vete për çdo vepër të veçantë. Neni 56 Bashkimi i dënimeve Kur i dënuari, para vuajtjes së plotë të dënimit, dënohet për një vepër penale të kryer para dhënies së vendimit, zbatohen rregullat e nenit të mësipërm dhe pjesa e vuajtur e dënimit llogaritet në dënimin e ri. Kur i dënuari, pas dhënies së vendimit, por para vuajtjes së plotë të dënimit, kryen një vepër penale të re, gjykata bën bashkimin e dënimit të ri me pjesën e mbetur të dënimit të mëparshëm, duke ndjekur rregullat e parashikuara nga neni 55 i këtij Kodi. Neni 57 Llogaritja e paraburgimit (Ndryshuar paragrafi i III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 6) Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë, si dhe në detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik si më poshtë: Një ditë paraburgim baras me një ditë e gjysmë burgim. Një ditë paraburgim baras me 5 mijë lekë gjobë. Një ditë paraburgim baras me tetëmbëdhjetë orë pune në interes publik. Faqe|23

Select target paragraph3