Kodi Penal Viti 2014 Neni 37 Ndalimi për të drejtuar automjete Ndalimi për të drejtuar automjete jepet nga gjykata, për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kundër personave që kanë kryer vepër penale, kur çmohet se do të ketë efekt parandalues apo pajtohet me natyrën e veprës së kryer. Neni 38 Heqja e dekoratave dhe e titujve Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit vendoset për personat që kanë kryer një vepër penale që dënohet me burgim dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer. Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit është e përhershme kur personi dënohet për një krim mbi dhjetë vjet dhe nga një gjer në pesë vjet, kur dënohet gjer në dhjetë vjet burgim. Neni 39 Heqja e së drejtës të ushtrimit të një profesioni ose të një veprimtarie (Ndryshuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 4) Heqja e së drejtës të ushtrimit të një profesioni ose të një veprimtarie e ndalon të dënuarin të ushtrojë profesionin ose veprimtarinë, për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim apo licencë nga organi kompetent. Heqja e së drejtës së ushtrimit të një veprimtarie ose të një profesioni jepet për një kohë nga një muaj deri në pesë vjet dhe është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i shpërdoruar ato, ose kur vlerësohet se ushtrimi i mëtejshëm i veprimtarisë apo profesionit bie ndesh me marrëdhënien juridike që synon të mbrojë vepra penale konkrete. Neni 40 Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese (Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 6) Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë, i heq mundësinë të dënuarit të ushtrojë detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si dhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik. Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale dhe jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet, kur i dënuari ka shpërdoruar funksionet apo ka vepruar në kundërshtim me rregullat që lidhen me detyrën. Kur dënimi i dhënë nga gjykata është jo më pak se pesë vjet burgim, kjo e drejtë mund të hiqet për një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet. Neni 41 Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative jepet nga gjykata për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kur çmohet se qëndrimi i të dënuarit në këto vende përbën rrezik për sigurimin publik. Faqe|18

Select target paragraph3