Kodi Penal
Viti 2014
KREU V
DËNIMET
Neni 29
Dënimet kryesore
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79;
shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 2; shfuqizuar paragrafi i fundit me vendimin e
Gjykatës Kushtetuese nr.47, datë 26.7.2012)
Për personat që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:
1. Me burgim të përjetshëm
2. Me burgim
3. Me gjobë
Për personat që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:
1. Me burgim
2. Me gjobë
Neni 30
Dënime plotësuese
(Ndryshuar pika 2, me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 3;
ndryshuar pika 1 me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 3;
shtuar pika 10 me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 6)
Për personat që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor, mund të
jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
1. Ndalimi i të drejtës për të ushtruar funksione publike.
2. Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale.
3. Ndalimi për të drejtuar automjete.
4. Heqja e dekoratave, titujve të nderit.
5. Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose mjeshtërie.
6. Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë.
7. Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative.
8. Nxjerrja jashtë territorit.
9. Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.
10. Humbja e përgjegjësisë prindërore.
Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur
ligji parashikon dënim me burgim deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer,
mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.
Neni 31
Dënimi me burgim të përjetshëm
(Ndryshuar paragrafi i I, II dhe titulli me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001,
neni 79; shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 5)
Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë.
Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk
kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
Faqe|15