Kodi Penal
Viti 2014
KREU III
TENTATIVA
Neni 22
Kuptimi i tentativës
Vepra penale quhet e mbetur në tentativë kur, megjithëse personi ndërmerr veprime të
drejtpërdrejta për ta kryer atë, vepra ndërpritet e nuk përfundohet për rrethana të pavarura nga vullneti i
tij.
Neni 23
Përgjegjësia për tentativën
Personi që tenton të kryejë një krim përgjigjet për të.
Gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, si dhe të shkaqeve për të cilat krimi mbeti në
tentativë, zbut dënimin dhe mund ta ulë atë nën minimumin e parashikuar nga ligji ose të caktojë një
lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar në ligj.
Neni 24
Heqja dorë nga kryerja e veprës penale
Personi që më vullnetin e tij dhe në mënyrë përfundimtare heq dorë nga kryerja e veprës penale,
me gjithë mundësitë që ka për kryerjen e saj, nuk ka përgjegjësi penale.
Kur veprimet e gjeratëhershme përmbajnë elementët e ndonjë vepre tjetër penale, personi
përgjigjet për veprën e kryer.
KREU IV
BASHKËPUNIMI I PERSONAVE PËR KRYERJEN
E VEPRËS PENALE
Neni 25
Kuptimi i bashkëpunimit
Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje
ndërmjet tyre.
Neni 26
Bashkëpunëtorët
Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët, ekzekutorët, shtytësit dhe
ndihmësit.
Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë veprimtarinë për kryerjen e veprës
penale.
Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtëpërdrejta për realizimin e veprës penale.
Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për kryerjen e veprës penale.
Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave, dhënie të
premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra penale,
ndihmojnë për kryerjen e saj.
Faqe|13