Kodi Penal
Viti 2014
Neni 245
Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 19; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,
funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer
ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë
vjet.
Neni 245/1
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20;
ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 30; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose
për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në
kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të
huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara,
dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij
ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në
kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është
kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj
deri në katër vjet.
Neni 245/2
Përjashtimi nga vuajtja e dënimit
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20; shfuqizuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48 )
Neni 246
Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore
Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë
mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në dy vjet.
Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të
shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 246/a
Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar
(Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 31)
Përvetësimi i titullit profesional të ekspertit kontabël, ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël
apo përdorimi i emërtimeve, si shoqëri audituese, pa qenë regjistruar më parë në regjistrin publik të
ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë një ngjashmëri ose një
konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, kur është dhënë më parë masë administrative,
përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Faqe|77