Kodi Penal Viti 2014 Neni 234/b Banda e armatosur (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 17) Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i bandës së armatosur dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Pjesëmarrja në bandën e armatosur dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. KREU VIII KRIME KUNDËR AUTORITETIT TË SHTETIT SEKSIONI I VEPRA PENALE KUNDËR VEPRIMTARISË SHTETËRORE TË KRYERA NGA SHTETASIT Neni 235 Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 54) Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Neni 236 Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik (Ndryshuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 55; ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 20) Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. Neni 237 Goditjet për shkak të detyrës Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Neni 238 Kanosja për shkak të detyrës Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Faqe|75

Select target paragraph3