Kodi Penal
Viti 2014
Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta, pasi është refuzuar më parë leja e prerjes nga
organet kompetente, përbën kundërvajtje penale e dënohet me burgim gjer në tre muaj.
Neni 206/a
Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor
(Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 22; ndryshuar fjalët në paragrafin e parë, dytë dhe të tretë me ligjin
nr.144, datë 2.5.2013, neni 38)
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes
pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga pesë deri
në tetë vjet.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me
burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo
shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me
burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 206/b
Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor
(Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 22; ndryshuar fjalët në paragrafin e parë dhe të dytë me ligjin
nr.144, datë 2.5.2013, neni 39)
Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes
pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga dy deri
në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo
shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me
burgim nga tre deri në tetë vjet.
Neni 207
Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve
Shkelja e rregullave për karantinën e bimëve apo të kafshëve, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale
ose që rrezikojnë jetën e shëndetin e njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
KREU V
KRIME KUNDËR PAVARËSISË DHE RENDIT KUSHTETUES
SEKSIONI I
KRIME KUNDËR PAVARËSISË DHE INTEGRITETIT
Neni 208
Dorëzimi i territorit
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar
pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me
burgim të përjetshëm.
Faqe|67