Kodi Penal Viti 2014 Neni 190 Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 6; shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 15; shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 47, datë 26.7.2012, pjesa që parashikon dënimin me gjobë si dënim kryesor) Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Neni 191 Falsifikimi i akteve të gjendjes civile (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 7; shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 47, datë 26.7.2012, pjesa që parashikon dënimin me gjobë si dënim kryesor) Falsifikimi apo përdorimi i akteve të gjendjes civile të falsifikuara dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Neni 192 Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të dokumenteve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 192/a Zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53) Asgjësimi me çdo mënyrë i dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, si dhe zhdukja e vjedhja e dokumenteve që janë të një rëndësie të veçantë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Vjedhja e dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, që janë të një rëndësie të veçantë, ose eksportimi i tyre në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Neni 192/b Hyrja e paautorizuar kompjuterike (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53; ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 19) Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Faqe|63

Select target paragraph3