Kodi Penal
Viti 2014
SEKSIONI VIII
FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE
Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 4; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga
një vit deri në shtatë vjet.
Neni 186/a
Falsifikimi kompjuterik
(Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 18)
Futja, ndryshimi, fshirja apo heqja e të dhënave kompjuterike, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të
rreme, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, pavarësisht nëse të dhënat e krijuara janë
drejtpërdrejt të lexueshme apo të kuptueshme, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.
Kur kjo vepër kryhet nga personi, që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave kompjuterike,
në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për interesin publik, dënohet me burgim
tre deri në dhjetë vjet.
Neni 187
Falsifikimi i dokumenteve shkollore
Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve shkollore të falsifikuara dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në tre vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.
Neni 188
Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore
Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara shëndetësore dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 189
Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 5; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me
burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën,
dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Faqe|62