Kodi Penal
Viti 2014
Neni 179
Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë
Ruajtja, depozitimi, mbajtja apo përpunimi i mallrave që dihen se janë kontrabandë, dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 179/a
Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë
(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 6)
Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i
çdo lloj forme të çekut bankar, metaleve ose gurëve të çmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej
vlerës së parashikuar nga ligji, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri
në dy vjet.
SEKSIONI VI
VEPRAT PENALE NË LIDHJE ME TAKSAT DHE TATIMET
Neni 180
Fshehja e të ardhurave
(Ndryshuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 36)
Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve
ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të
falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për
të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me
vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me
vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
Neni 181
Mospagimi i taksave dhe tatimeve
Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, megjithë mundësinë e pagimit të tyre,
nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre vjet.
Neni 181/a
Moskryerja e detyrave nga organet tatimore
(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)
Moskryerja e detyrave që lidhen me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve
nga punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë që janë ngarkuar me këto detyra, kur
bëhet për fajin e tyre dhe i sjell shtetit dëm në vlerë më të vogël se 1 milion lekë, dënohet me gjobë deri
në 2 milionë lekë;
kur vlera është më e lartë se 1 milion lekë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim.
Faqe|60