Kodi Penal Viti 2014 Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, sjell pasoja të rënda për shëndetin, ose rrezikon jetën e tij, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohen me ¼ e dënimit të dhënë. Neni 110/b Përfitimi apo përdorimi i shërbimeve të ofruar nga personat e trafikuar (Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013) Përfitimi apo përdorimi i shërbimeve të ofruar nga personat e trafikuar, apo i shërbimeve që janë objekt i shfrytëzimit nga trafikimi, duke pasur dijeni që personi është i trafikuar, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj një fëmije dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Neni 110/c Veprimet që lehtësojnë trafikimin (Shtuar me ligjin nr.144, datë 2.5.2013) Falsifikimi, zotërimi ose sigurimi i dokumentit të identitetit, i pasaportave, i vizave ose i dokumenteve të tjera të udhëtimit apo mbajtja, heqja, fshehja, dëmtimi ose shkatërrimi i tyre, që kanë shërbyer për trafikimin e personave të rritur, por pa pasur dijeni për këtë fakt, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, apo është kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën, vizën apo dokumentin e udhëtimit, ose ka mundësuar trafikimin e fëmijëve, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet. Neni 111 Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera Zotërimi dhe vënia nën kontroll e avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera të transportit ku ndodhen njerëz, duke përdorur dhunë ose me kërcënim me armë a mjete të tjera, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Neni 112 Dhunimi i banesës Hyrja ose qëndrimi në banesën e tjetrit pa pëlqim të tij përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Kur vepra është kryer me dhunë ose me kërcënim për përdorim të armës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Faqe|41

Select target paragraph3