Kodi Penal
Viti 2014
personit ose vendit në të cilin ndodhet ai, duke i mohuar ndihmën dhe mbrojtjen e nevojshme, sipas
ligjit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Eprori që:
a) ka dijeni që vartës të vendosur nën autoritetin dhe kontrollin e tij efektiv po kryejnë ose do të
kryejnë zhdukje me forcë, ose nuk merr parasysh të dhëna dhe informacione që e tregojnë qartë këtë
fakt;
b) ushtron përgjegjësinë dhe kontrollin e tij efektiv mbi veprimtaritë me të cilat është lidhur
zhdukja me forcë; apo
c) nuk ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të arsyeshme që janë në kompetencën e tij për të
penguar ose ndëshkuar personin që jep autorizimin, mbështetjen dhe miratimin e zhdukjes me forcë,
ose për t’ia dërguar çështjen organeve kompetente të ndjekjes penale, dënohet me burgim nga tre deri
në shtatë vjet.
Kur kjo vepër kryhet kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që, për shkaqe të ndryshme,
nuk mund të mbrohen, apo shoqërohet me vuajtje të rënda fizike, kryhet në bashkëpunim, kundër disa
personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen e personit, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet
ose me burgim të përjetshëm.
Marrja e paligjshme e fëmijëve që janë subjekt i një zhdukjeje me forcë, ose e fëmijëve, babai, nëna
ose përfaqësuesi ligjor i të cilëve është bërë subjekt i një zhdukjeje me forcë, apo e fëmijëve të lindur
gjatë periudhës së zhdukjes me forcë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga pesë deri në
dhjetë vjet.
Neni 110
Heqja e paligjshme e lirisë
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 27)
Heqja e paligjshme e lirisë së personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.
Kur kjo vepër shoqërohet me vuajtje të rënda fizike, kryhet në bashkëpunim, kundër disa
personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
Neni 110/a
Trafikimi i personave të rritur
(Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 28;
ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 1; ndryshuar titulli, fjalët në paragrafin e parë dhe paragrafi i tretë
dhe shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 26; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si
dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose
përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës
ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose
përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e
prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të
detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose
transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, si brenda dhe jashtë territorit të
Republikës së Shqipërisë, dënohen me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj një personi të rritur të gjinisë femërore dënohet me burgim nga dhjetë
deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave dënohen me burgim nga shtatë deri në
pesëmbëdhjetë vjet.
Faqe|40