Kodi Penal
Viti 2014
Neni 81
Vrasja e foshnjës
(Ndryshuar fjalët me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 17)
Vrasja e foshnjës e kryer me dashje nga nëna, menjëherë pas lindjes, dënohet me burgim deri në
pesë vjet.
Neni 82
Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike
Vrasja me dashje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike të çastit shkaktuar nga dhuna ose
fyerja e rëndë e viktimës dënohet me burgim gjer në tetë vjet.
Neni 83
Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme
Vrasja e kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dënohet me burgim
gjer në shtatë vjet.
Neni 83/a
Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 12;
ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 8; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, që i bëhet një personi për t’u mbyllur në shtëpi,
dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 83/b
Nxitja për gjakmarrje
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 9; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,
krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)
Nxitja e të tjerëve për hakmarrje ose gjakmarrje, kur nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me
burgim deri në tre vjet.
Neni 84
Kanosja
Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 84/a
Kanosja me motive racizimi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik
(Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 12)
Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, që i bëhet një personi, nëpërmjet sistemeve
kompjuterike, për shkak përkatësie etnike, kombësie, race apo feje, dënohet me gjobë ose me burgim
deri në tre vjet.
Faqe|32