Kodi Penal Viti 2014 KREU III TENTATIVA Neni 22 Kuptimi i tentativës Vepra penale quhet e mbetur në tentativë kur, megjithëse personi ndërmerr veprime të drejtpërdrejta për ta kryer atë, vepra ndërpritet e nuk përfundohet për rrethana të pavarura nga vullneti i tij. Neni 23 Përgjegjësia për tentativën Personi që tenton të kryejë një krim përgjigjet për të. Gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, si dhe të shkaqeve për të cilat krimi mbeti në tentativë, zbut dënimin dhe mund ta ulë atë nën minimumin e parashikuar nga ligji ose të caktojë një lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar në ligj. Neni 24 Heqja dorë nga kryerja e veprës penale Personi që më vullnetin e tij dhe në mënyrë përfundimtare heq dorë nga kryerja e veprës penale, me gjithë mundësitë që ka për kryerjen e saj, nuk ka përgjegjësi penale. Kur veprimet e gjeratëhershme përmbajnë elementët e ndonjë vepre tjetër penale, personi përgjigjet për veprën e kryer. KREU IV BASHKËPUNIMI I PERSONAVE PËR KRYERJEN E VEPRËS PENALE Neni 25 Kuptimi i bashkëpunimit Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre. Neni 26 Bashkëpunëtorët Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët, ekzekutorët, shtytësit dhe ndihmësit. Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë veprimtarinë për kryerjen e veprës penale. Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtëpërdrejta për realizimin e veprës penale. Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për kryerjen e veprës penale. Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave, dhënie të premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra penale, ndihmojnë për kryerjen e saj. Faqe|13

Select target paragraph3